AAK-ja nuk shkon në takim me presidenten

AAK-ja nuk do të shkojë në takimin e thirrur nga presidentja e vendit Vjosa Osmani në lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të vendit.

Partia e Ramush Haradinajt ka ritheksuar propozimin prej katër pikash, për të rikthyer situatën në normalitet, jo vetëm në veri, por në gjithë Kosovën.

Përmes një komunikate për media, AAK-ja ka konfirmuar se nuk shkojnë në takim tek Osmani pa reflektuar në kërkesat e tyre, të cilat javën e kaluar Haradinaj i prezantoi.

“1. Qeveria e Republikës së Kosovës të marrë vendim menjëherë për shtyrje të vendimit për targa deri në marrëveshje finale.

2. Institucionet e Kosovës: Presidenca, Kuvendi, Qeveria e Republikës së Kosovës, institucionet në të gjitha nivelet, të fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për t’u kthyer në institucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë.

3. Qeveria të nisë komunikim intensiv me faktorët më relevantë në vend, duke përfshirë edhe opozitën, jo vetëm si reflektim i gjendjes së krijuar, por edhe si nevojë e gjetjes së rrugëdaljes nga situata e krijuar.

4. Të kërkohet një samit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (takim disaditor), deri në përmbylljen e marrëveshjes finale për njohje reciproke Kosovë-Serbi.

Për këtë qëllim e kemi thirrur në interpelancë edhe kryeministrin e vendit. Dhe derisa nuk do të ketë një reflektim për këto kërkesa, ne nuk do të jemi pjesë e nismave, që veç sa e komplikojnë edhe më tej situatën në vend”, thuhet në komunikatën e AAK-së. /Zëri