Ibrahimi: Nëse respektohet Gjykata Kushtetuese, s’do të kishim ndonjë problem me Asociacionin e Komunave Serbe

Drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një intervistë për Ekonominë Online, ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nëse krijohet në bazë të direktivave që ka dalë nga Gjykata Kushtetuese, do t’i mbrojë interesat e komunave.

Sipas tij, nëse nuk përfillen kërkesat e Kushtetueses, mund të ndodhë që të ketë një nivel të ri qeverisës, i cili nuk do të duhej të ndodhte në Kosovë, sepse ajo do të bjerë ndesh me Kushtetutën.

“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, nëse krijohet në bazë të direktivave që kanë dalë nga Gjykata Kushtetuese, po besoj që do të kemi një organizatë, e cila do t’i mbrojë interesat e komunave. Në bazë të eksperiencave nuk kemi hasur në një Asociacion, i cili mund të ketë një rol tjetër përveç përfaqësimit dhe ruajtjes së interesave të komunave pa marrë parasysh përkatësinë politike ose etnike. Ne po shpresojmë që gjithçka të ndodhë në suaza të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Nëse një mekanizëm i tillë do të ketë vetëm një kompetencë, atëherë nuk do të jetë i njëjtë me Asociacionin e Komunave të Kosovës, pra do të ketë një rol tjetër e cila mund të na dërgojë në krijimin e një strukture të re qeverisëse, që në Kosovë nuk ka ekzistuar. Ka mundësi nëse nuk përfillet kërkesat e Gjykatës Kushtetuese të kemi një nivel të ri qeverisës, i cili nuk do të duhej të ndodhte ne Kosovë, sepse ajo do të bjerë ndesh me Kushtetutën. Ne po mendojmë që gjithçka që është rekomanduar ose është dhënë nga Gjykata Kushtetuese duhet të respektohet në plotni dhe nëse respektohen kërkesat e Gjykatës Kushtetuese, nuk do të duhej të kishim ndonjë problem”, tha Ibrahimi.