Shpërthimi në Stamboll, Begaj dhe Xhaçka ngushëllojnë familjarët e viktimave

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka kanë ngushëlluar familjarët e viktimave nga shpërthimi në Stamboll.

Xhaçka e konsideroi ngjarjen shokuese, ndërsa u ka uruar shërim të shpejtë të plagosurve.

“Ne qëndrojmë pranë Turqisë dhe popullit të saj në këtë ditë të dhimbshme”, thuhet në deklaratën e ministres.

Begaj dënoi çdo akt që synon dëmtimin e njerëzve të pafajshëm.

“Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e viktimave dhe personave të plagosur nga shpërthimi vdekjeprurës”, shkroi presidenti në Twitter.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, theksoi se shpërthimi ishte “sulm me bombë” dhe mund të jetë sulm “terrorist”.