Spanjollët dalin në protestë për të mbrojtur sistemin shëndetësor, qeveria i mbështet

Disa qindra mijëra demonstrues u mblodhën sot në Madrid për të mbrojtur sistemin e shëndetit publik në rajonin e kryeqytetit spanjoll dhe për të demonstruar kundër një plani për të reformuar sektorin.

Me një slogan qendror “Madridi bashkohet për të mbështetur sistemin shëndetësor publik kundër planit për ta shkatërruar atë”, turma njerëzish u mblodhën në një pasdite me diell vjeshte në katër pjesë të kryeqytetit spanjoll, përpara se të marshonin drejt bashkisë.

Demonstrata u ndoq nga 200,000 njerëz, sipas një zëdhënësi të qeverisë rajonale, 650,000 sipas organizatorëve.

Demonstrata, e organizuar pas thirrjes së shoqatave dhe bashkive lokale, synon politikat shëndetësore të kryebashkiakes së Madridit, Isabel Diaz Ayuso, një nga personalitetet e Partisë Popullore (PP). Ayuso dëshiron të zhvillojë partneritete publike-private dhe të ristrukturojë sistemin lokal të kujdesit shëndetësor.

Qeveria socialiste e Spanjës dha mbështetjen e saj për protestuesit.

“Madridi është rajoni që investon më pak para në shëndetësi për banor. Mesatarja kombëtare është 1700 euro për banor dhe në Madrid është 1300 euro”, tha ministri i Presidencës së qeverisë spanjolle, Félix Bolanos.

“Është rajoni me më pak mjekë dhe infermierë për frymë”, shtoi ai.

Sipas tij, kriza në sistemin shëndetësor publik të rajonit vjen si pasojë e një menaxhimi katastrofik nga pushteti rajonal i PP-së. /abcnews