Ambasada e Kosovës: Asnjë shtetas yni s’gjendet në mesin e viktimave dhe të lënduarve në Stamboll

Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara, ka njoftuar se në bazë të informatave të siguruara nga autoritetet relevante të Republikës së Turqisë, “në mesin e viktimave dhe të lënduarve nuk gjendet asnjë shtetas i Republikës së Kosovës”.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për media nga ambasada.

“Për ata të cilët aktualisht ndodhen në Stamboll, kërkojmë që të qëndroni vigjilentë dhe të ndiqni këshillat e autoriteteve lokale të sigurisë. Luten shtetasit tanë të cilët gjenden në Stamboll që në rast nevoje të kontaktojnë në numrin emergjent të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Stamboll”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Presidenti turk Recep Tajip Erdogan tha të dielën se të paktën gjatë vetë humbën jetën dhe 81 u plagosën nga një shpërthim në një rrugë të ngarkuar të Stambollit. Presidenti turk tha se shpërthimi dukej të ishte sulm terrorist.

“Përpjekjet për të mposhtur Turqinë dhe popullin turk përmes terrorizmit do të dështojnë”, Erdogan në një konferencë për shtyp.

Pamje filmike të siguruara nga agjencia e lajmeve Reuters tregojnë momentin e shpërthimit. Disa orë pas shpërthimit, Nënpresidenti Fuar Oktar dhe Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu vizituan vendin e ngjarjes.

Zoti Oktay tha se numri i të plagosurve kishte arritur në 81 ndërsa përsëriti se 6 të tjerë kishin humbur jetën në shpërthim.

“Ne do ta zgjidhim këtë çështje shumë shpejt”, tha ai për gazetarët.

Ministri turk i Drejtësisë, Bekir Bozdag, tha se e dyshuara për sulmin e së dielës në Stamboll ishte ulur në stol për 40 minuta, kur pas kësaj ndodhi shpërthimi.

Shpërthimi ndodhi të dielën pasdite në rrugën Istiklal afër sheshit Taksim të Stambollit.

Bozdag deklaroi se nuk dihet identiteti i gruas së dyshuar për sulmin, por se të dhënat për atë janë duke u ekzaminuar.

“Të gjitha të dhënat janë duke u hetuar për të gjetur autorët dhe të gjitha agjencitë janë në kërkim të tyre”, u shpreh ai.

“Konsiderohet si një akt terrorist. Se për cilën organizatë terroriste bëhet fjalë, do të përcaktohet nga hulumtimi”, ka deklaruar zyrtari turk, transmeton Telegrafi.

Sipas tij ekzistojnë dy mundësi për sulmin, “ose çanta ka një mekanizëm dhe ka shpërthyer vetë, ose dikush e ka shpërthyer nga larg”