Kosova bëhet pjesë e Konferencës së OKB-së për ndryshime klimatike

Për herë të parë Kosova do të jetë pjesëmarrëse në Konferencën për Ndryshime Klimatike të Kombeve të Bashkuara. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

“Me ftesë të Qeverisë Gjermane dhe ministres së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, znj. Anna Baerbock, do të marrim pjesë në Konferencën e Anëtarëve (COP27), me ç’rast do të zhvillojmë takime bilaterale lidhur me financimet e mundshme për adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike dhe implementimim e Marrëveshjes së Parisit”, ka shkruar Aliu.

Kosova mbetet i vetmi shtet pa qasje direkte në fondet multilaterale të OKB-së, prandaj sipas ministrit Aliu, më 18 nëntor, në hapësirat e Pavilionit Gjerman në Egjipt, do të prezantohet agjenda e Kosovës që ka të bëjë me nevojat për investime në përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe synimet për dekarbonizimin.

“Qëllimi final i pjesëmarrjes tonë është që të anëtarësohemi në Konventën për Ndryshime Klimatike të Kombeve të Bashkuara (UNFCCC), rrjedhimisht Kosova të ketë mundësinë që të negocioj dhe të ketë qasje në fonde për ndryshime klimatike”, ka nënvizuar ministri Aliu në Facebook.