Konfirmohen katër të vdekur nga shpërthimi në Stamboll, 38 të lënduar

Të paktën katër persona janë vrarë dhe 38 të tjerë janë plagosur nga shpërthimi në Stamboll më 13 nëntor.

Kështu bëri të ditur guvernatori i Stambollit, Ali Yerlikaya. Ai shkroi në Twitter se të plagosurit janë duke u trajtuar në spitale.

Shpërthimi ka ndodhur në bulevardin e frekuentuar Istikalal të Stambollit.

Sipas guvernatorit Yerlikaya, ngjarja ndodhi në orën 16:20.

Ende nuk dihen shkaqet e shpërthimit të së dielës dhe sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Anadolu, pesë prokurorë janë caktuar që ta hetojnë këtë ngjarje.

Zona ku ndodhi shpërthimi është evakuuar.

Vëzhguesi i mediave në Turqi ka ndaluar përkohësisht raportimeve e mediave për shpërthimin, që do të thotë se transmetuesit nuk mund të shfaqin video të momentit të shpërthimit apo edhe të momenteve pasuese. Bordi Suprem i Radios dhe Televizionit kishte vendosur ndalesa të tilla edhe në të kaluarën pas sulmeve aksidenteve apo edhe për disa çështje politike.

Në videot e postuara online shihen flakë pas një shpërthimi të fuqishëm, teksa qytetarët shihen duke u larguar nga vendi i ngjarjes. /REL