Sqarohet Molliqaj: S’ka paralele mes Qeverisë e Millosheviqit, gjithçka tjetër është mveshje

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj është sqaruar pas deklaratës së djeshme, ku ndër të tjera ka thënë se ka ngjashmëri trajtimi i veriut dhe serbëve në atë pjesë me trajtimin e shqiptarëve nga regjimi i Millosheviqit.

Molliqaj ka thënë se nuk ka paralele midis Qeverisë së Kosovës dhe regjimit të Millosheviqit, ai ndër të tjera thotë se nga intervista u morën vetëm disa pjesë të shkëputura, raporton Zeri.info.

“Në emision e kam tërhequr vërejtjen rreth desubjektivizimit, pra depolitizimit të serbëve në diskursin publik të kryeministrit. Kur flitet për serbët e manipuluar ose për disa serbë të manipuluar, sikur harrohet që shumica dërmuese e serbëve kanë votuar dhe po e përcjellin Listën Serbe. Kur themi kështu, jemi shumë afër kërkesës për “serbin e ndershëm”, siç kërkohej dikur “shqiptari i ndershëm. Ja një shembull: kryeministri Kurti i quajti ekstremistë 9 mijë veta që nuk i kanë ndërruar ende targat. Sigurisht se nuk pajtohemi me këtë veprim të tyre. Veçse a mund të mjaftojë targa për t'i thënë dikujt ekstremist. Si do ta bësh dialogun që e pate premtuar me ta pas këtij cilësimi? Me ekstremistin nuk flitet, ai izolohet, mbyllet”, u shpreh ai.

Molliqaj ndër të tjera ka thënë se gjithçka tjetër është mveshje. /Zëri