Hajdari: Prokuroria po heton 64 raste të dhunimeve seksuale

Departamenti për krime lufte në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës është duke zhvilluar hetime për 64 raste të dhunës seksuale.

Drita Hajdari, prokurore dhe udhëheqëse e këtij departamenti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se një numër i kryesve të krimit është identifikuar nga viktimat dhe, sipas saj, me urdhrin e gjykatës, është lëshuar letërshtimi ndërkombëtar.

Në intervistë ajo thotë, po ashtu, se pas lëshimit të letërshtimit ndërkombëtar pritet ndalimi i tyre nga INTERPOL-i (Organizata Ndërkombëtare e Policisë).

 Zonja Hajdari, PSRK-Departamenti për krime lufte, ka kohë që është duke punuar në hetimin e rastet të dhunimeve seksuale që kanë ndodhur gjatë luftës. Cka po ndodhë me këto raste?

Drita Hajdari: Siç tani dihet, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës(PSRK), ka pranuar kompetenca për krimet të luftës në fund të vitit 2018, kur kemi trashëguar një numër tejet të madh të lëndëve nga EULEX- i. Në mesin e atyre lëndëve ka ekzistuar një numër i vogël i paraqitjeve për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë. Mirëpo, në këto raste nuk është punuar asgjë.

Me pranimin e kompetencave, unë personalisht si udhëheqëse e Departamentit për krime lufte, kam filluar me një fushatë për vetëdijesimin e viktimave të dhunës seksuale. I kam takuar edhe personalisht u kam treguar edhe procedurat, pritjet të cilat ato mund t’i kenë nga Prokuroria për t’i inkurajuar për t’i paraqitur këto raste, sepse ekziston një hezitim i madh për paraqitjen e këtyre rasteve që është edhe kuptueshme, duke pasur parasysh natyrën e këtyre veprave penale, rrethanat në të cilat janë kryer, sidomos brutaliteti me të cilin janë kryer këto vepra.

Në çfarë faze jeni ju në procedimin e këtyre lëndëve?

Drita Hajdari: Për momentin kemi 64 raste të cilat janë aktive, janë në procedim. Mirëpo, prej këtyre 64 rasteve, nuk do të thotë që kemi arritur ta identifikojmë në secilin rast kryesin e këtyre veprave penale. Një numër i kryesve është identifikuar nga viktima me urdhrin e gjykatës është lëshuar letërshtimi ndërkombëtar dhe jemi në pritje. Do të thotë, këto letërshtime ndërkombëtare i ekzekuton Interpoli dhe presim që kudo që gjinden këta persona kryerës të veprave penale që të arrestohen dhe ekstradohen në Kosovë.

Për ne, si prokurori, është e rëndësishme të dokumentohet krimi, pavarësisht nga ajo se a do të arrijmë ta zbulojmë apo identifikojmë kryesin. Mungesa e [identifikimit të] kryesit nuk do të thotë se krimi nuk ka ndodhur, kështu që duke i proceduar këto raste, ne në njëfarë mënyre jemi duke grumbulluar edhe provat edhe statistikat për këtë lloj të veprave penale të kryera gjatë luftës në Kosovë.

 A keni në këto vitet e fundit raste të reja, të cilat kanë ardhur në Prokurori dhe flasin për dhunën që iu ka ndodhur?

Drita Hajdari: Po, shumica e këtyre 64 rasteve janë raste të raportuar pasi që i kemi pranuar kompetencat, do të thotë kah fundi i vitit 2018. Mosraportimi deri diku është i kuptueshëm duke pasur parasysh që më herët misioni i UNMIK-ut, tani i EULEX-it i kanë intervistuar viktimat përmes interpretit dhe ka qenë jashtëzakonisht e mundimshme edhe e rrezikshme për viktimën të japë dëshmi përmes interpretit, i cili ka mundur të jetë edhe fqinji i saj/tij, apo familjari apo dikush i njohur. Dhe, gjithmonë është kanosur rreziku të zbulohet identitetit i viktimës. Me kontaktin e drejtpërdrejtë me policin dhe prokurorin vendor, gjërat shkojnë shumë më lehtë, flasim shqip, kuptohemi më lehtë dhe procedura shkon ndryshe.

Intervistën e plotë mund ta lexoni KËTU:

https://www.evropaelire.org/a/prokuroria-po-rastet-dhunimet-gjate-luftes/32125995.html