Krasniqi i shqetësuar që SHBA-ja përdori fjalinë “zhgënjimin nga Kosova”

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e ka konsideruar si shqetësim të madh që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përdorur fjalinë “zhgënjimin nga Kosova”, në reagimin e tyre për mosshtyrjen e vendimit nga Qeveria e Kosovës për konvertimin e targave ilegale në RKS në veri. Krasniqi në një intervistë në RTK theksoi se do të udhëtojë në SHBA këtë javë, ku përveç se do të dëgjojë shqetësimet e tyre, thotë se do t’i paraqesë edhe qëndrimet e PDK-së.

“Unë atje do të paraqes qëndrimet e PDK-së në lidhje me zhvillimet aktuale në Kosovë, por edhe në rajon”, ka thënë ai, duke shtuar se do të ketë qëndrimet shtetërore të cilat i ka konsistente si parti, në fokus të zhvillimeve që ndërlidhen jo vetëm në raport me Serbinë, por edhe perspektivën dhe ambiciet e Kosovës për të qenë anëtare e barabartë e familjes ndërkombëtare.

“Do të dëgjoj me vëmendje se cilat janë qëndrimet e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse kohëve të fundit vërtetë është shqetësues fakti që në disa nga deklarimet e nivelit më të lartë, e shohim një fjalë që nuk e kemi dëgjuar më herët e që është fjala – zhgënjim. Është fatkeqësi që sot Kosova të shikohet nga prizmi i zhgënjimit, nga vendi që i ka ndihmuar Kosovës më së shumti”, shtoi Krasniqi.Kreu i opozitës konfirmoi se në SHBA do ta takojë edhe të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kryetari i PDK-së e konsideron të rëndësishme këtë vizitë për faktin që sipas tij, në këtë kohë nuk është mirë që Qeveria të sanksionohet me anulim të vizitave të zyrtarëve të saj.“Por, shpresoj që qëndrimet tona të cilat unë besoj se janë të ngjashme për sa i përket objektivave shtetërore të Kosovës, ta luajë rolin e vet”, përfundoi ai.