Osmani në Forumin e Paqes: Agresorët s’duhet të shpërblehen, jemi për paqe afatgjate

Vjosa Osmani është duke marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, ku ajo u shpreh se kanë diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në këtë kohë sfiduese.

Osmani është shprehur se Kosova është shembulli më i mirë që pas gjenocidit të përjetuar ka punuar intensivisht për t’u shndërruar në një partner besnik për aleatët ndërkombëtar.

Duke folur mbi zhvillimet aktuale në Evropë, presidentja e Kosovës, ka thënë se akomodimi i autokratëve nuk sjell paqe dhe agresorët nuk duhet asnjëherë të shpërblehen.

“Paqja është e mundshme dhe afatgjate atëherë kur nuk shpërblehen agresorët.Nuk duhet kurrë të biem në kurthin e dyanshmërisë. Nuk mund të përdorim argumentin e dyanshmërisë kur është e qartë se kush është viktima e kush agresori”, shkroi ajo.

Osmani ndër të tjera ka thënë se paqja dhe bashkëpunimi do të jenë të mundshme dhe të qëndrueshme vetëm kur partneritetet ndërtohen mbi bazën e vlerave të njëjta dhe duke respektuar vlerat demokratike e të drejtat e njeriut. /Zëri