Osmani në Forumin e Paqes: Nëse s’ka drejtësi për krime lufte, jemi të detyruar të shohim përsëritjen e këtyre akteve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke qëndruar në Paris në kuadër të Forumit të Paqes.

Osmani, në një diskutim gjatë të premtes së 11 nëntorit, ka folur dhe rreth luftës së Rusisë në Ukrainë dhe ka potencuar se agresori rus mbi popullin ukrainas duhet të ndalet.

Në këtë rast presidentja Osmani ka kujtuar dhe luftën në Kosovë, gjatë viteve 1998-1999 duke riktheksuar se fuqia më e madhe qëndron te partneriteti.

“Nuk duhet të biem në kurthin e lojës se të dyja palët janë të njëjta, sepse dëgjojmë deklarata se si të dyja palët kanë faj për një luftë që ka qenë absolutisht e paprovokuar nga Ukraina”, ka thënë presidentja Osmani.

Osmani ka shtuar se “asnjëherë nuk do të duhej që të përdorej kjo qasje e dy palëve kur ka agresor të qartë dhe viktimë të qartë”.

Osmani ka thënë se e njëjta situatë ishte dhe në luftërat që u zhvilluan në ish-Jugosllavi.

Presidentja Osmani ka shtuar se Ukraina duhet të mbështetet me të gjitha mjetet për ta fituar luftën me Rusinë.

“Në vitet e 90’ kur lufta e Kosovës ishte ndalur nga NATO-ja, kur NATO-ja kishte ndalur gjenocidin, ishte e suksesshme sepse partneriteti i vendeve demokratike në botë ishte bazuar në vlerat demokratike”, ka thënë Osmani.

Tutje, presidentja Osmani ka shtuar se “nëse dikush kryen krime lufte, krime kundër njerëzimit, dhe nuk ka drejtësi për ato krime, jemi të dënuar që të shohim përsëritjen e atyre akteve”.

“Ukraina duhet ta fitojë këtë luftë, dhe Ukraina duhet të këtë të gjitha mjetet e mundshme për ta fituar këtë luftë dhe jo vetëm për vete, por për të gjithë ne, pasi Ukraina ta fitojë luftën nuk mendoj që Putini do të jetë në pushtet”, përfundoi Osmani.