Theret me thikë kryetari i Divjakës në Shqipëri

Kryetari i Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi është plagosur me thikë këtë të enjte bashkë me shoferin e tij, pas një konflikti me një ish punonjës të bashkisë.

Sipas informacioneve, ai kishte dalë për inspektim në një nga banesat pranë bashkisë së Divjakës në momentin që është konfliktuar me autorin Orges Xhelili.

Teksa kryebashkiaku ishte në inspektim, Xhelili është afruar dhe e ka fyer, ndërsa më pas debati mes tyre ka degraduar në përdorimin e thikës nga ana e autorit.

Me agresorin fillimisht është përleshur shoferi Gazmend Bullari, i cili ndodhet në gjendje kritike për jetën, pasi mori disa plagë në trup.

Xhelili dyshohet se ka pasur një konflikt me Fredi Kokoneshin.

Kryebashkiaku ndodhet në spitalin e Lushnjës, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Mësohet se Orges Xhelili më herët ka punuar si punonjës IT pranë bashkisë së Divjakës për një periudhë të shkurtër.

Ende nuk janë bërë të qarta plotësisht arsyet e konfliktit mes tyre, ndërsa grupi hetimor pritet të zbardhë rrethanat e ngjarjes.

Autori është kapur dhe shoqëruar në komisariat, ndërsa forca të shumta policie janë në spital, ku ndodhen dy të plagosurit.

“Rreth orës 09:30, në afërsi të bashkisë Divjakë, shtetasi O. Xh., 46 vjeç, dyshohet ka goditur me mjet prerës, shtetasin F. K., me detyrë Kryetar i bashkisë Divjakë dhe shoferin e tij, shtetasin G. B., 45 vjeç. Të dëmtuarit janë transportuar menjëherë dhe po marrin ndihmë mjekësore, në Spitalin Rajonal Lushnjë. Falë veprimeve të shpejta operacionale të shërbimeve të Policisë, është kapur dhe shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, shtetasi O. Xh., si autor i dyshuar i plagosjes. Në vendngjarje ndodhen drejtuesit më të lartë të DVP Fier. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes“, sipas policisë.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi dhe krybashkiakja e Lushnjës, Eriselda Sefa kanë vizituar Kokoneshin në spital, pas ngjarjes. /topchannel