KGJK-ja miraton listën me 74 kandidatë, që plotësuan kriteret për bashkëpunëtorë profesionalë

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), në takimin e 298-të, të mbajtur të premten, ka miratuar listën me 74 kandidatë që kanë plotësuar kriteret për bashkëpunëtorë profesionalë, të paraqitur nga Komisioni për Përzgjedhjen e Bashkëpunëtorëve Profesionalë.

Paraprakisht, kryetarja e këtij komisioni, gjykatësja Kadrije Goga-Lubishtani ka paraqitur raportin përfundimtar lidhur me konkursin e shpallur nga KGJK për pozitat e lira për bashkëpunëtorët profesionalë, ku kishin aplikuar 235 kandidatë.

Goga-Lubishtani tha se pas shqyrtimit të aplikacioneve nga ana e komisionit, 20 aplikacione janë refuzuar për shkak të mosplotësimit të kritereve, por 9 prej tyre kanë bërë ankesë e që, 3 ankesa janë aprovuar.

Andaj, sipas saj, 216 kandidatë kanë plotësuar kriteret për të vazhduar me procedurën por që në testin me shkrim të mbajtur më 11 shtator 2022 kanë marrë pjesë 170 kandidatë dhe kanë kaluar 113 prej tyre, e që 14 kanë paraqitur ankesë ndërkaq një ankesë është aprovuar.

E njëjta tha se komisioni ka arritur t’i kontrollojë testet për 10 ditë e që nga 114 kandidatë për intervistim, 112 janë intervistuar pasi që 2 prej tyre janë tërhequr.

Tutje, Goga-Lubishtani tha se 74 kandidatë i kanë plotësuar kushtet për t’u rekrutuar në pozitë të bashkëpunëtorëve profesionalë, prej tyre 41 të gjinisë femërore dhe 33 meshkuj.

Pas prezantimit të raportit, nga ana e zëvendës-kryesuesit të Këshillit, Qerim Ademaj, kryetarja e komisionit është përgëzuar për procesin e përzgjedhjes së këtyre pozitave, duke adresuar shqetësimit e kryetarit të Gjykatës Komerciale me mungesën e stafit të mjaftueshëm.

Ai tha se me kërkesë të kryetarit të kësaj gjykate, pasi që kandidatja Fatime Llolluni ka punuar si zyrtare në Gjykatën Komerciale, e njëjta të kalojë nga Gjykata e Apelit në këtë gjykatë.

Lidhur me këtë, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj tha se kërkesa e kryetarit të Gjykatës Komerciale është e kuptueshme por që lidhur me një tranfser të mundshëm do të vendoset në një mbledhje të ardhshme, sepse duhet edhe konfirmimi dhe vullneti i të njëjtës për një transfer të tillë.

Në vazhdim, kryetarja e komisionit është pyetur nga ana e anëtarit Fahret Velija nëse ka të dhëna se sa nga komunitetet tjera joserbe kanë aplikuar në këtë konkurs, por që e njëjta tha se nuk kanë hasur aplikime të tilla gjatë shqyrtimit të aplikacioneve.

E që, kryesuesi Zogaj tha se është e domosdoshme një fushatë vetëdijësuese për nxitje në kuptim pozitiv për të gjithë, por kjo nuk e zbeh rëndësinë e këtij procesi ku secili është trajtuar me dinjitet.

Por që, sipas anëtarit Velija procesi ka shkuar shumë mirë, por që propozimi i tij do ishte që ndoshta të ketë vende të rezervuara edhe për komunitetet tjera përveç atij serb. /Betimi për Drejtësi