Zoran Vukotiqit i rikonfirmohet dënimi për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë, sot gjatë shqyrtimit të ri gjyqësor, përsëri shpalli Zoran Vukotiqin përgjegjës për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe e dënoi me 10 vjet burgim.

Pas vendimit për dënim me 10 vjet burgim për krimin e dhunës seksuale gjatë luftës të marrë më 5 korrik 2021 nga Gjykata Themelore e Prishtinës kundër Zoran Vukotiq, për shkak të parashtrimit të ankesës në Gjykatën e Apelit, rasti ishte kthyer në gjykim të serishëm dhe sot Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special shpalli Aktgjykimin dënues, me të cilin Zoran Vukotiq shpallet fajtor për krimin e dhunës seksuale gjatë luftës kundër viktimës shqiptare.

Lajmin për rikonfirmim të dënimit për Vukotiqin e ka bërë të ditur Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës (QKRMT), transmeton Zeri.info.

“Vendimi i marrë në vitin 2021 ishte një pikë kthese për të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë, duke ua rikthyer besimin në institucionet e drejtësisë dhe shpresën për dënimin e personave përgjegjës për krimet e dhunës seksuale gjatë luftës. Kurse konfirmimi i sotëm i të njëjtit vendim e fuqizon edhe më tutje këtë besim që po ndërtohet përmes guximit të të mbijetuarve që kanë paraqitur rastet e tyre në prokurori dhe përkushtimit të institucioneve të drejtësisë për t’i shkuar deri në fund procesit të vënies së drejtësisë në vend”, thotë QKRMT-ja.

Qendra tutje thotë se ky vendim përçon mesazhin që krimet e dhunës seksuale as harrohen e as falen, por pavarësisht kohës që ka kaluar dhe përpjekjeve për t’i ikur drejtësisë, ajo herët ose vonë do të arrihet dhe do të jetë e palëkundshme.

“Rruga e drejtësisë e cila është hapur me këtë vendim është në vazhdimësi dhe do të jetë e pandalshme dhe të gjithë presim që drejtësia të arrihet edhe për rastet e tjera në proces duke i dhënë fund pandëshkueshërisë që ka mbizotëruar deri tash”.

“Andaj, ftojmë institucionet relevante që të vazhdojnë ndjekjen e drejtësisë me të njëjtin përkushtim dhe profesionalizëm në mënyrë që drejtësia të vihet në vend për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, thuhet në komunikatën e QKRMT-së. /Zëri