Osmani i fton në konsultim partitë politike për datën e zgjedhjeve në komunat veriore

Presidentja Vjosa Osmani ka ftuar në konsultim subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave të veriut të vendit.

Presidenca ka njoftuar se Osmani, duke pasur parasysh afatet ligjore të përcaktuara me legjislacionin në fuqi, sot u ka dërguar ftesa subjekteve politike për konsultim për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë tw komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Takimi konsultativ me subjektet politike do të mbahet më 14 nëntor, transmeton Zeri.info.

Një ftesë e tillë është dërguar pasi kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.

Këto dorëheqje janë dorëzuar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), për të cilat është njoftuar edhe Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Pas konsultimit me partitë politike, presidentja Osmani pritet ta shpallë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të këtyre katër komunave brenda afateve ligjore. /Zëri