Latifi: Shëndetësia në Kosovë, e rrënuar nga korrupsioni

Ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka takuar në Bruksel raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon dhe eurodeputetin kroat Karlo Ressler.

Në këtë takim temë diskutime ishte gjendja aktuale e sektorit të shëndetësisë në Kosovë dhe rrugët e transformimit drejt standardeve evropiane, raporton Zeri.info.

Latifi në fjalën e tij ka thënë se shëndetësia në Kosovë është e injoruar dhe e lënë pas dore, por edhe e rrënuar nga korrupsioni.

Ish-ministri Latifi tha se përmirësimi i këtij sektori duhet të bëhet përmes avansimit të programeve klinike dhe krijimit të qendrave të ekselencës, sigurimit të transparencës së plotë, përmirësimit të cilësisë së shërbimeve dhe ndalimit të korrupsionit, modernizimit të infrastrukturës spitalore, etj.

“Ndërkohë, të gjithë eurodeputetët në këtë takim e mbështetën Prof.Dr. Rifat Latifin në projektet dhe vizionin e tij për një sistem shëndetësor të zhvilluar në Kosovë, në mënyrë që pacientët të kenë shërbime dhe përkudesje më të mirë në vendin e tyre”, thuhet në njoftim. /Zëri