Tahiri: Plani franko-gjerman nuk e ka brenda njohjen reciproke

Derisa ka folur për planin franko-gjerman që Kosova tashmë e ka si propozim në tavolinë, Edita Tahiri tha se e ka parë këtë dokument dhe aty nuk është e përfshirë njohja reciproke.

“Esenca është se duhet të thuhet në mënyrë eksplicite që të dyja shtetet njohin njëra- tjetrën, që do të pasohej me vendosjen e  marrëdhënieve fqinjësore me kartën e OKB-së, që respektojnë edhe sovranitetin edhe integritetin territorial të njëra -tjetrës, të hapin ambasadat, të fillojnë fazën e bashkëpunimit bilateral, dhe ma merr mendja që një prej pikave do të jetë edhe zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit që kanë mbetur të pazbatuara”.

Ajo tha se çelësi i marrëveshjes finale për të sjellë paqe mes dy shteteve pas luftës gjenocidale që Serbia ka bërë në Kosovë, është njohja reciproke mes shteteve në mënyrë të drejtpërdrejtë e jo në mënyrë të tërthortë dhe nuk e ka plani franko-gjerman.

“Ligji për Pushtetin Lokal thotë se në Kosovë mund të ketë më shumë se një Asociacion të komunave. Ajo që ne kemi arritur së paku kemi nxjerrë Asociacion pa kompetenca ekzekutive, mirëpo tani unë më nuk dëshiroj të diskutojë për këtë, kjo është punë e Kurtit, sepse Kurti duke kundërshtuar Asociacionin erdhi në pushtet, tash është punë e tij. Jo nëpër rrugë e nëpër media, por aty ne Pallatin Élysée”, tha ajo.

Ish kryenegociatorja Tahiri e ka quajtur refren të përsëritur deklaratën e presidentes Osmani që pas takimit tregoi se çka folën në Pallatin Élysée ,në takim që u pritën nga presidenti i Francës bashkë me kryeministrin Kurti.

“Për mendimin tim është dashur që presidentja të shfrytëzojë prezencën tek Pallati Élysée  të përmend që plani franko -gjerman për marrëdhëniet Kosovë- Serbi duhet të bazohet esencialisht në Traktatin e Élysée-s”.