Komuna e Prishtinës sqarohet për çmimet e larta të parkingut nëntokësor

Ditë më parë u publikuan tarifat për parking në parkingun nëntokësor te Fakulteti Filologjik në Prishtinë, ku çmimet nisnin nga një euro për orë, 15 euro një ditë, 90 euro java dhe deri në 2500 euro viti, raporton Zeri.info.

Kjo nxiti reagime të shuma, pasi shumë qytetarë ankoheshin se këto çmime janë tejet të larta për standardin jetësor në vend.

Komuna e Prishtinës përmes një komunikate ka thënë se ky parking është i natyrës Publiko-Privat, duke theksuar se Komuna nuk është pronare e plotë.

Për këtë Komuna përmendi se parkingjet të cilat janë pronë e NP “Prishtina Parking” kanë çmime më të ulta, sepse janë pronë e Komunës së Prishtinës.

“Si rrjedhojë, përcaktimi i tarifave të parkimit është bërë në bazë të çmimit të tregut dhe duke marrë parasysh investimet e larta të koncesionarit në ofrimin e sigurisë së lartë dhe kushteve shumë më të favorshme krahasuar me parkingjet tjera me këto çmime. Po ashtu, çmimi i vendosur, përfshin edhe kostot e parapara për mirëmbajtjen dhe ofrimin e shërbimit, të cilat janë mjaft të larta”, thuhet në komunikatë. /Zëri