Kurti thotë se me Macronin diskutuan për propozimin franko-gjerman dhe liberalizimin e vizave

Pas përfundimit të takimit me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, Zyra e Kryeminsitrit Albin Kurti, ka lëshuar komunikatë të njëjtë me atë të presidentes, Vjosa Osmani.

Në njoftim bëhet e ditur se përveç situatës në vend, Osmani dhe Kurti në takim me presidentin Macron e kanë diskutuar edhe çështjen e propozimit franko-gjerman.

“Në takim, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë potencuar se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa kanë deklaruar se propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”, thuhet ndër të tjerash në njoftim, shkruan “Zeri.info”.

Po ashtu, Zyra e Kryeministrit, ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar edhe rreth çështjes së liberalizimit të vizave.

“Në takim me homologun Macron, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë folur edhe për rëndësinë e përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave përgjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së, vendim i cili do të kontribuojë në forcimin e kredibilitetit të BE-së”, thuhet në njoftim.

Gjtihashtu bëhet e ditur se Osmani dhe Kurti kanë kërkuar nga Macron përkrahje për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

“Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë kërkuar që mbështetja e Francës të vazhdojë edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pastaj në programin e Partneritetit për Paqe, si hap i parë drejt anëtarësimit të plotë në NATO si dhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkim Evropian dhe organizata të tjera ndërkombëtare”, ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit.

Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje:

Në takim me Presidentin Macron, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë diskutuar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve, dinamizimin e dialogut Kosovë-Serbi, si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë, rajon dhe Evropë.

Sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti e falënderuan Presidentin Macron për angazhimin e Francës, në bashkëpunim me Gjermaninë, për dinamizimin e këtij procesi. Presidentja ritheksoi përkushtimin e plotë të institucioneve të Kosovës në procesin e dialogut, të bazuar në ruajtjen e sovranitetit, rendit kushtetues, integritetit territorial dhe funksionalitetit të Kosovës, të cilët janë të paprekshme.

Në takim, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë potencuar se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa kanë deklaruar se propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.

Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë folur edhe për zhvillimet e fundit në veri të vendit, duke theksuar se institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara për paqe, stabilitet dhe garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë përmendur tendencat destabilizuese të Serbisë, përmes fuqizimit të strukturave ilegale të saj në Kosovë, frikësimit të qytetarëve serbë dhe nxitjes së grupeve kriminale për ta cenuar rendin dhe ligjin në veri. Presidentja dhe Kryeministri kanë thënë se Kosova do të vazhdojë të jetë e koordinuar me partnerët ndërkombëtar për adresimin e sfidave të sigurisë.

Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë thënë se Kosova vazhdon të jetë shembull në rajon dhe më gjerë sa i përket mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve joshumicë. Presidentja ka thënë se kjo është arritje e Kosovës dhe aleatëve perëndimor, prandaj ka theksuar nevojën për veprime të përbashkëta për t’i ruajtur këto të arritura.

Më tej, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti potencuan se Kosova është një partnere e besueshme dhe kredibile e Francës dhe aleatëve të tjerë euroatlantik, dhe se forcimi i pozitës ndërkombëtarë të saj është vlerë e shtuar për komunitetin ndërkombëtar dhe botën demokratike. Në këtë drejtim, ajo foli për hapat konkretë të ndërmarra nga institucionet e Kosovës për anëtarësim në strukturat euroatlantike. Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë kërkuar që mbështetja e Francës të vazhdojë edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, pastaj në programin e Partneritetit për Paqe, si hap i parë drejt anëtarësimit të plotë në NATO si dhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkim Evropian dhe organizata të tjera ndërkombëtare.

Në takim me homologun Macron, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë folur edhe për rëndësinë e përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave përgjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së, vendim i cili do të kontribuojë në forcimin e kredibilitetit të BE-së.