Prokuroria deklarohet rreth pretendimeve të Besnik Bislimit se u kërcënua nga Abelard Tahiri

Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës (PK), që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, lidhur me pretendimet e zëvendëskryeministri Besnik Bislimi se është kërcënuar të enjten në seancën plenare nga shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri.

Lajmin e ka konfirmuar Laureta Ulaj, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

“Referuar pyetjes suaj, iu njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka autorizuar policinë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme lidhur me këtë çështje”, tha Ulaj.

Në seancën plenare të së enjtes në Kuvendin e Kosovës, Bislimi teksa po deklarohej në foltore, tha se Tahiri, e ka sharë dhe fyer pasi iu ndal mikrofoni.

“Deputeti Abelard Tahiri nxori një sërë akuzash për ministren Haxhiu, ndërkaq pasi u mbyll mikrofoni në stilin e një banditi që i vendos shurdhuesin armës së tij, u kthye kah unë dhe shprehu një sërë kërcënimesh, të cilat pastaj i shoqëroi me sharje dhe fyerje nga ulësja e tij. Do të doja që Prokuroria të merret me këtë rast”, tha Bislimi.

Në anën tjetër, Tahiri u kundërpërgjigj se zëvendëskryeministri po flet akuza të pabaza. /BetimipërDrejtësi