Mbi 100 pjesëtarë të EULEX-it në veri, ky është roli i kësaj force aktualisht

Më shumë se 100 pjesëtarë nga Njësia Policore e Specializuar (NJPS) e EULEX-it kanë zbarkuar në veri të Kosovës. Si reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, ata janë të gatshëm për të ndërhyrë kurdo që paraqitet nevoja.

IndeksOnline ka pyetur zyrtarët e EULEX-it rreth misionit të tyre në veri pas dorëheqjeve masive të policëve serbë në atë pjesë. Sipas tyre, NJPS e EULEX-it është duke zhvilluar patrullime mobile të vëzhgimit në Kosovën veriore për informim të shtuar të saj rreth situatës.

“Këshilltarët policorë të lartë të EULEX-it për veriun janë të vendosur në kompleksin e Drejtorisë së Policisë së Kosovës, Rajoni Veri dhe janë duke dhënë këshilla për Drejtorinë e Policisë së Kosovës, Rajoni Veri dhe katër stacionet policore nën komandën e saj në lidhje me një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimeve policore”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.

Përveç kësaj, këshilltarja e EULEX-it për kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës dhe këshilltarja e EULEX-it për kryetarin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës janë duke e monitoruar nga afër situatën në këto dy institucione të drejtësisë, pasi edhe në këto institucione kishte dorëheqje të mëdha.

“Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it (NJPS), që është e stacionuar në Mitrovicë, përbëhet nga 105 zyrtarë policorë. Disa ekipe të NJPS-së zhvillojnë patrullime mobile të vëzhgimit në Kosovën veriore për informim të shtuar të Misionit rreth situatës. Më 8 nëntor, një Njësi Policore e Specializuar Rezervë (NJPSR) u zbarkua përkohësisht në Kosovë për t’i përforcuar kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar (NJPS) ekzistuese të EULEX-it”, thuhet në përgjigje.

Ndonëse ka prezencë të madhe të EULEX-it në veri, ata thonë se nuk kanë marrë përsipër përgjegjësi policore.

Njësia Policore e Specializuar e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) është reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, si pjesë përbërëse e mekanizmit treshtresor të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti, ndërsa NATO/KFOR-i është i treti.