Emisarët Sarrazini e Frangeshi takohen edhe me krerët e Listës Serbe

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin dhe i dërguari i posaçëm i Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anzhej Frangesh, sot, në Mitrovicën e veriut, kanë takuar krerët e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe Igor Simiq.

Sipas komunikatës së lëshuar nga ky subjekt politik, i cili ditë më parë vendosi të tërhiqet nga të gjitha institucionet e Kosovës, në këtë takim është biseduar për situatën aktuale politike dhe të sigurisë.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe ambasadori gjerman Jorn Rohde dhe ambasadorja sllovene, Minca Benedejçiq.

Dy emisarët mbrëmë u takuan edhe me kryeministrin Albin Kurti, ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, si dhe me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuea, shefin e misionit të EULEX-it, Lars Gunnar Vigemark e shefin e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog.