Tahiri u përgjigjet akuzave për armën me shurdhues: Me këtë retorikë po na kërcënoni gratë dhe fëmijët në shtëpi

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, u është përgjigjur akuzave për kërcënime nga ana e anëtarëve të Qeverisë.

Tahiri ka thënë se sa herë që dalin në foltore dhe marrim fjalën, ofendohen me fjalët më të rënda nga zëvendëskryeministri dhe ministrja e Drejtësisë.

“Ne jemi njerëz dhe fyerjet e ofendimet e tilla nuk i tolerojmë”, tha Tahiri në seancë.

Ai iu përgjigj edhe akuzave se mban armë me shurdhues, ndërsa tha se për këtë është arrestuar një person, i cili po vuan dënimin me burg në Podgoricë të Malit të Zi.

“Për punën e shurdhuesve, duke i përmend ju unë kam marr një kërcënim, të cilin e kam denoncuar në Polici, kërcënim në grua dhe fëmijë, Policia vjen me një raport dhe thotë; ‘e kemi identifikuar personin që ju ka kërcënuar, është në vuajtje të dënimit në Podgoricë për organizimin e një vrasjeje si një rezultat i debatit për shurdhues’, ai është një vrasës në burg në Podgoricë, i cili më shkruan mua nga burgu pikërisht për punën e shurdhuesve me debatin që e bëni ju, janë armë që janë blerë për sigurinë e kryeministrit në atë kohë e s’ka të bëjë me mua”.

“Ju me këtë retorikë që na kërcënoni gratë e fëmijët në shtëpi nuk do t’ju tolerojmë. Me këtë retorikë keni mu përplas keq me neve”, tha Tahiri. /Zëri