Haxhiu sfidon Tahirin: A je në gjendje të japësh dorëheqje?

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka sfiduar me dorëheqje deputetin e PDK-së, Abelard Tahirin, i cili në Kuvendin e Kosovës sot tha se gjykatat dhe prokuroria në Mitrovicë janë pa prokurorë e gjyqtarë.

Haxhiu iu përgjigj Tahirit, duke i thënë se a është i gatshëm të japë dorëheqje nëse ajo që tha nuk është e vërtetë, transmeton Zeri.info.

“I nderuar z. Taniri, a je në gjendje me dhënë dorëheqje nëse ajo çka ke thënë nuk është e vërtetë. Mos shpifni, mos manipuloni. Jam e gatshme bashkë me ty dhe me Arbenin me shku në gjykatë dhe prokurori në Mitrovicë, aty janë prokurorët dhe gjyqtarët”, tha Haxhiu në Kuvend.

Ajo tha se opozita duhet të flasë për kërcënimet e Serbisë ndaj qytetarëve serbë në veri dhe jo për vendimet e ligjshme të Qeverisë.

“Në vend që të flisni për kërcënimet që Serbia po ua bën qytetarëve në veri, ju akuzoni Qeverinë për vendimet e drejta dhe të ligjshme, Nuk po bëjnë asgjë më shumë, vetëm po mbrojmë vendin tonë”, tha ajo. /Zëri