Tahiri: Si opozitë s’kërkojmë zgjedhje, por zgjidhje të problemit në veri

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri ka kërkuar nga Qeveria të gjejë zgjidhje për problemin, që sipas tij vetë Qeveria e ka shkaktuar në veri.

Tahiri ka bërë thirrje që Qeveria të mos vërë në pikëpyetje të arriturat e përbashkëta të Kosovës me SHBA-në, ndërsa tha se PDK-ja nuk kërkon zgjedhje, por zgjidhje për situatën në veri, transmeton Zeri.info.

“Gjithë këtë histori të përbashkët 20-vjeçare me SHBA-në nuk duhet ta vëni në pikëpyetje, si opozitë nuk kërkojmë zgjedhje, por zgjidhje të problemit që e keni shkaktuar në veri të Kosovës”.

“Si opozitë nuk do të tolerojmë në asnjë rrethanë të tërhiqeni nga ushtrimi i sovranitetit të Qeverisë së Kosovës edhe në atë pjesë të vendit tonë”.

“Sot ajo pjesë kontrollohet nga një numër i vogël i policëve, nuk funksionon gjyqësor, nuk funksionon prokuroria. Ne si opozitë ju bëjmë thirrje që të jeni përgjegjës në përgjegjësinë që keni dhe karshi të arriturave që kanë ndodhur në dy dekada në vendin tonë”, deklaroi Tahiri në seancën e Kuvendit të Kosovës. /Zëri