Franca dhe Gjermania përkujtojnë sot në Prishtinë ushtarët e rënë të Luftës së Parë Botërore

Franca dhe Gjermania përkujtojnë çdo vit armëpushimin e 11 nëntorit 1918, i cili u dha fund luftimeve në Luftën e Parë Botërore.

Kjo ceremoni është gjithashtu një mundësi për të nderuar të gjithë ata që ranë për Francën dhe Gjermaninë në konfliktet e kaluara dhe aktuale.

Ambasada e Francës në Prishtinë ka njoftuar se sot do të kujtohen ushtarët e rënë në Frontin Lindor.

“Një ceremoni ushtarake në vendin e ushtarëve të rënë në Prishtinë gjatë luftimeve në Frontin Lindor, do të mbahet më 11 nëntor, në orën 11:00. Ky vend ndodhet brenda varrezave të krishtere në Arbëri.

Sikurse vitet e kaluara, edhe këtë vit ceremonia do të organizohet së bashku me Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë. Miqësia franko-gjermane tregon se pajtimi është i mundur edhe mes ish-armiqve historikë dhe mund të shërbejë edhe si model për pajtimin në Ballkan. Ajo gjithashtu dëshmon për vuajtjet e të gjithë popujve të përballur me mizoritë e luftës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Franceze. /Zëri