Ish-ambasadori Berisha: Kurti po rrezikon ta shndërrojë rastin e Kosovës në modelin palestinez

Ish-ambasadori i Kosovës në Slloveni Anton Berisha, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se ka nxjerrë “më të keqën” e shoqërisë kosovare me vendimet e tij.

Sipas tij, Kurti nxiti polarizim dhe zgjoi sentimentin kundër Amerikës dhe Perëndimit, raporton zeri.info.

Postimi i plotë:

Albin Kurti, si askush më parë në Kosovë, ka arritur të nxjerrë më të keqen e individit dhe shoqërisë. Asnjëherë në këtë nivel brenda kombit shqiptar nuk ka pasur polarizim të këtillë, gjuhë jotolerante deri të ndytë dhe shtresime të skajshme.

Albin Kurti vazhdoi jotolerancën me komunitetin serb duke e prurë situatën dhe raportin e tyre me shtetin e Kosovës në një nivel edhe më të ulët se në periudhën e shpalljes së pavarësisë.

Albin Kurti zgjoi si askush më parë në popullatë sentimentin otomano-komunist për t’i ndërsyer kundër Amerikës dhe Perëndimit në përgjithësi.

Kjo sjellje e rrezikshme e Albin Kurtit ka për qëllim krijimin e një realitetit të ri politik, fund e krye antidemokratik e antiperendimor, dhe me vetëdije duke i rrezikuar të arriturat e deritanishme dhe duke e shndërruar rastin e Kosovës në modelin palestinez, model që fund e krye dirigjohet nga Rusia.