Kurti konfirmon udhëtimin në Paris, paralajmëron një takim të mundshëm me Macronin e Vuçiqin [video]

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë ditës së nesërme do të niset për në Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes.

Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka konfirmuar udhëtimin në Paris, duke thënë se gjatë kësaj vizite pritet të ketë edhe një takim trilateral me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, raporton Zeri.info. 

“Jam i gatshëm sepse i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, janë dy propozime në tavolinë, një i tij, me kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i preznatuar në takimin e 18 gushtit si dhe propozimi franko-gjerman, që sipas tij, e ka mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së.

“Dialogu parimor me të tjerët, sundimi i ligjit njësoj për të gjithë, dhe, paqja e siguria në tërë territorin, shkojnë bashkë”, ka thënë Kurti.