Boshatiset Gjykata e Leposaviqit, kërkohet zgjidhje nga KGJK-ja

Ani pse gjyqtarët e prokurorët serb po japin dorëheqje nga institucionet e vendit ata madje nuk po e kanë problem se në dorë të kujt po lënë vendin e punës. Një rast i tillë është edhe Gjykata Komunale e Leposaviqit në të cilën nuk po del askush në punë.

Para derës nuk po qëndron asnjë person për ta siguruar e as zyrtar policor, prandaj edhe hyrja në këtë institucion është e lehtë.

Kështu nuk duhet të ndodhë sepse ky objekt është goxha i rëndësishëm.

Bëhet fjalë për degën e Gjykatës Themelore të Leposaviqit, e cila ka mbetur e thatë në vazhdën e dorëheqjeve të zyrtarëve serb nga institucionet e Kosovës.

Aty janë vetëm disa punëtorë që po përkujdesen për rregullimin e çatisë e që nuk i përkasin këtij institucioni.

Konfirmim për gjithë këtë situatë televizioni ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës por të njëjtit nuk patën përgjigje.

Por, këtë situatë po e sheh si shumë problematike, avokati Kadri Osaj.

“KGJK në koordinim me institucionet tjera duhet të krijojë mekanizma dhe të krijojë mundësi që kjo gjykatë të kompletohet ashtu që të mos ndodhë që kush do të hyjë e të dal pa i jep llogari askujt”, ka thënë Kadri Osaj, avokat.

Ndërkohë, urgjent që të sigurohet ky objekt po kërkojnë njohësit e sigurisë sepse sipas tyre rrezikohen materialet që gjenden brenda asaj gjykate.

“Duhet të shtohet personeli adekuat në mënyrë që të sigurohet vendi pasi që në këtë masë bëhet sigurimi i dosjeve që i kanë ndërmarr organet e ndjekjes pra duhet të sigurohemi që të mos ndodhë si në të kaluarën që ka pasur dosje të djegura” , ka thënë Drizan Shala, ekspert i sigurisë.

E gjithë kjo situatë e dorëheqjeve nga pozita të rëndësishme të serbëve nga institucionet e Kosovës, vjen në kohën kur ata me kërkesë të Beogradit po kundërshtojnë konvertimin e këtyre targave që qarkullojnë në veri në ato RKS. /rtvdukagjini