Mehaj: S’është e vërtetë që kanë dorëzuar dorëheqjet 10 pjesëtarë serbë të FSK-së

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i ka mohuar lajmet se 10 pjesëtarë serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre.

Sipas tij, janë tre kërkesa për demobilizim që kanë pranuar prej kohësh dhe për të cilat janë duke u ndjekur të gjitha procedurat e rregullta.

“Referuar lajmit të publikuar nga mediumi serb, dhe të cituar edhe nga disa medie vendore, ju informojmë se është dezinformatë. Nuk është e vërtetë që kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre 10 pjesëtarë serb të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Janë tri kërkesa për demobilizim që kemi pranuar prej kohësh dhe për të cilat janë duke u ndjekur të gjitha procedurat e rregullta”, ka shkruar Mehaj ndër të tjerash.

Reagimi i plotë i Mehajt, pa ndërhyrje:

Referuar lajmit të publikuar nga mediumi serb, dhe të cituar edhe nga disa medie vendore, ju informojmë se është dezinformatë.

Nuk është e vërtetë që kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre 10 pjesëtarë serb të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Janë tri kërkesa për demobilizim që kemi pranuar prej kohësh dhe për të cilat janë duke u ndjekur të gjitha procedurat e rregullta.

Prandaj, deklarimet e tilla publike i shohim më tepër si tendencë e Beogradit zyrtar për të nxitur largimin e pjesëtarëve serb nga institucionet e Republikës së Kosovës, madje, edhe përmes kërcënimeve direkte.

Përpjekjet e Serbisë për të frikësuar pjesëtarët serb të FSK-së janë të papranueshme, shkelin normat e civilizimit dhe vlerat demokratike evropiane.

Nuk presim që Serbia të ulë shkallën e kërcënimeve, por dhe Kosova si shtet nuk do të dorëzohet kurrë përpara këtyre presioneve.

Vlerësojmë dhe respektojmë kontributin e secilit pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës së Kosovës për sakrificën dhe shërbimin ndaj atdheut.

Kosova është shtet multietnik, dhe Ushtria e Kosovës është garantuese e integritetit territorial dhe jetës së çdo qytetari pa dallim etnie.

Bashkë do të vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO!