Prokuroria deklarohet për rastin e dhunimit të 71-vjeçares në Skenderaj

Ditë më parë një 71-vjeçare nga Skenderaj është dhunuar seksualisht nga një person.

Nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës kanë bërë të ditur për Zeri.info se i dyshuari për dhunimin e 71-vjeçares ende është i panjohur për autoritetet, por që dyshohet se është i moshës së re.

“Rasti, të cilin ju i referoheni, dyshohet se ka ndodhur në komunën e Skenderajt. Viktima është rreth 71-vjeçare, ndërkaq i dyshuari për këtë rast tani për tani është i panjohur, dyshohet se është i moshës së re”, ka deklaruar për Zeri.info Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës.

Ai ka thënë se për shkak të hetimeve dhe ndjeshmërisë së rastit, nuk mund të japin më shumë detaje.

Rastin për 71-vjeçaren e ka bërë të ditur Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme në raportin ditor. Ku u theksua se dhunimi ka ndodhur më 4 nëntor, përderisa e moshuara më 7 nëntor është dërguar për ekzaminim mjekësor.

“DHUNIM/Skenderaj, 04.11.2022 – 14:30. Më 06.11.2022 është raportuar se viktima femër kosovare është dhunuar nga një i dyshuar mashkull i panjohur. Më 07.11.2022 viktima është dërguar në ekzaminim mjekësor”, thuhet në raportin e PK-së. /Zeri.info