Takohen udhëheqësit e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, diskutojnë për gjendjen në Gjykatën dhe Prokurorinë e Mitrovicës

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, priti sot në një takim të përbashkët kryesuesin e Këshillit Prokurorial, Jetish Maloku dhe kryesuesin e Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj.

Përmes një njoftimi, thuhet se në këtë takim u diskutua për mbarëvajtjen e procesit të punës në sistemin prokurorial dhe atë gjyqësor, pas situatës së krijuar në Prokurorinë dhe në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

“Në takimin e sotëm, tre krerët institucionalë shprehën përkushtimin e tyre për të punuar bashkërisht për tejkalimin e gjendjes së krijuar pas largimit të gjykatësve, prokurorëve dhe punonjësve administrativ nga procesi i punës dhe u diskutua për modalitetet e organizimit dhe mbarëvajtjes sa më efikase të punës për qytetarët e kësaj pjese”, thuhet në njoftim.

Ata u pajtuan që të ndërmarrin sa më shpejt të gjitha masat e nevojshme për organizmin e procesit të punës në pajtim me aktet ligjore në fuqi, me qëllim që institucionet e drejtësisë të funksionojnë dhe të mos krijohet zbrazësi shërbimesh në rrethanat aktuale. /Zëri