Hoti: Kosova ka rënë në grackën e Serbisë, s’i morëm parasysh këshillat e aleatëve

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka komentuar situatën aktuale në vend.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Hoti ka thënë se tërë kjo situatë e krijuar në vendin tonë është si pasojë se qeveritarët kanë rënë në grackën e Serbisë, pasi, siç u shpreh ai, nuk i kanë marrë parasysh këshillat e aleatëve.

“Kur aleatët nuk na mbështesin, pasojat nuk i bartin vetëm ata në krye të institucioneve. Pasojat i bartim të gjithë”, shkroi Hoti.

Tutje ai ka thënë se për këtë situatë të krijuar duhet konsensus nacional, por që sipas tij jo duke u rreshtuar krah atyre që nuk kanë ide dhe nuk dinë se si ta menaxhojnë e përmbyllin një situatë të tillë.

“Por problemi është se pasojat bien mbi përpjekjet tona, paqësore e luftarake, dhe rezultatet që kemi arritur deri tani në fuqizim, konsolidim e anëtarësimin e shtetit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë. Sigurisht se na duhet konsensus nacional për veprimet që ndërmerren në përballje me situatën e krijuar. Por nuk mund dhe nuk duhet të rreshtohemi prapa atyre që nuk kanë ide si do të menaxhohet dhe përmbyllet në interesin e Kosovës kjo situatë komplekse politike dhe e sigurisë”, ka shkruar Hoti ndër të tjerash, përcjell “Zeri.info”.

Postimi i plotë i Hotit, pa ndërhyrje:

Kur aleatët nuk na mbështesin, pasojat nuk i bartin vetëm ata në krye të institucioneve. Pasojat i bartim të gjithë.

E lexova shqetësimin e Daniel Serwerit se: “Kryeministri i Kosovës e ka idenë se çfarë do dhe shpreson se ai do t’i përballojë pasojat”. Unë e ndaj shqetësimin e tij. Por problemi është se pasojat bien mbi përpjekjet tona, paqësore e luftarake, dhe rezultatet që kemi arritur deri tani në fuqizim, konsolidim e anëtarësimin e shtetit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.

Sigurisht se na duhet konsensus nacional për veprimet që ndërmerren në përballje me situatën e krijuar. Por nuk mund dhe nuk duhet të rreshtohemi prapa atyre që nuk kanë ide si do të menaxhohet dhe përmbyllet në interesin e Kosovës kjo situatë komplekse politike dhe e sigurisë.

Sigurisht se kjo situatë ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së Serbisë te komuniteti serb në Kosovë. Por kësaj radhe, për shkak se nuk i morëm parasysh këshillat e aleatëve, Kosova ka rënë në grackën e Serbisë.