Dorëheqja e gjyqtarëve serbë, përfaqësuesit e KGJK-së vizitojnë Gjykatën Themelore në Mitrovicë

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, së bashku me drejtorin e Sekretariatit të KGJK-së, vizituan të mërkurën Gjykatën Themelore në Mitrovicë, me ç’rast u takuan me nënkryetarin e kësaj gjykate, Bekim Veliqi, gjyqtarët, administratoren dhe stafin administrativ, ku diskutuan për organizimin dhe mbarëvajtjen e punës pa ndërprerje në situatën aktuale.

Sipas një njoftimi nga KGJK-ja, kryesuesi Zogaj dhe drejtori Maliqi u siguruan nga nënkryetari Veliqi dhe administratorja se gjykata është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për organizmin e procesit të punës në pajtim me aktet ligjore në fuqi.

“Zogaj siguroi se Këshilli është i vendosur për ofrimin e gjithë mbështetjes së nevojshme me qëllim që Gjykata Themelore në Mitrovicë të funksionojë edhe në rrethanat aktuale për ofrimin e shërbimeve për qytetarët”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, gjyqtarët dhe stafi administrativ serb të hënën dorëzuan dorëheqjet e tyre në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Dorëheqjet i kanë dorëzuar edhe prokurorët serbë.

Ky largim i tyre ka ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.