Kurti flet për situatën në veri, mbi 1000 fletë qortimi janë lëshuar deri sot

Kryeministri Albin Kurti ka folur sot për situatën në veri të vendit në hapjen e mbledhjes së Qeverisë.

Kurti ka folur sërish për presionet dhe sulmet me të cilat po përballen qytetarët serbë në veri, ndërsa tha se këto po bëhen nga njerëzit që e kanë problem sundimin e ligjit, transmeton Zeri.info.

“Ne duam sundim të ligjit, nuk është zgjedhje është detyrim, mungesa e tij është kërcënim për të gjithë, me këtë kërcënim po ballafaqohen bashkëqytetarët tanë në katër komunat të vendit tonë. Presioni dhe sulmet ndaj tyre nga bandat e individë kriminalë janë vetëdëshmia se çka prodhon mungesa e sundimit të ligjit. Problemi i tyre nuk janë vendimet tona, as afatet që parashihen në to”, tha Kurti, transmeton Zeri.info.

Ai tregoi se deri më sot janë lëshuar mbi 1000 fletë qortimi, ndërsa deri tani nuk është regjistruar asnjë incident ose ankesë për to.

“1012 vërejtje janë lëshuar deri sot në mëngjes, asnjë incident i shënuar asnjë ankesë e regjistruar. Problemi i tyre janë sulmet me bomba, djegiet e veturave dhe shtëpive, trysnitë dhe kërcënimet pa afat nga ata që e kanë problem ligjin”.

“Ata që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve të Kosovës, janë ata të cilëve i pengon ligjshmëria e kushtetutshmëria, luftimi i krimit e korrupsionit në vendin tonë”, deklaroi Kurti.

Kreu i Qeverisë ka përsëritur thirrjen që të mos braktisen institucionet e Kosovës.

“Bëj thirrje edhe një herë që të mos bojkotohen e të mos braktisen institucionet e Kosovës, dua të falënderoj bashkëqytetarët tanë serbë për pjekurin e treguar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë”, tha Kurti. /Zëri