Kosova rrezikon t’i humbë 800 milionë euro investime në miniera e minerale, institucionet refuzojnë takim me kompaninë amerikane

Kompania amerikane “AMERICAN EXPLORING AND MINING” ka një projekt për investim në minierat e Kosovës, projekt me vlerë prej 800 milionë eurosh, mirëpo ky investim rrezikon të mbetet vetëm projekt në letër.

Institucionet e Kosovës, përkatësisht Presidenca dhe Qeveria, po rrezikojnë të humbin një investim të madh në fushën e minierave dhe mineraleve, kjo për shkak se këto institucione po refuzojnë të takohen me përfaqësuesit e kompanisë amerikane “AMERICAN EXPLORING AND MINING”, për ta parë në detaje projektin për këtë investim.

Sipas Grant Liverettit, drejtor ekzekutiv i kësaj kompanie, përmes këtij projekti do të punësohen 5 mijë persona, me pagë prej 800 eurove, si dhe 25 mijë vende të pune indirekte me pagë mesatare prej 500 eurove.

Liveretti në një intervistë për “Radio Prishtinën” ka treguar se institucionet e Kosovës kanë refuzuar të takohen, pavarësisht se e kupton situatën në të cilën po kalon vendi ynë.

“Jemi këtu sepse e dua Kosovën, e dua Kosovën sepse Kosova na do shumë neve dhe kjo është një ndër arsyet kryesore pse jemi këtu. Njerëzit na kanë pritur shumë mirë, sepse ka nevojë për paga të reja e për vende të reja të punës dhe për këtë njerëzit na kanë pritur shumë mirë, por jo edhe institucionet. Kemi kontaktuar me institucionet përgjegjëse, përkatësisht me kryeministrin dhe presidentin dhe me ministren e Ekonomisë, por ministrja nuk na ka pranuar në takim”, ka thënë Liveretti në “Radio Prishtina”.

Tutje, ai ka thënë se ky projekt është i dizajnuar enkas për Kosovën, marrë parasysh se Kosova është shumë e pasur me minerale, por nëse Qeveria nuk e aprovon këtë projekt, atëherë ata do të detyrohen të shikojnë në vendet fqinje dhe të investojnë në to.

“Projekti është i dizajnuar për Kosovën për shkak se plani që e kemi zhvilluar si kompani funksionon shumë mirë në Kosovë, por nëse nuk e aprovojnë, duhet të shikojmë në vendet fqinje dhe nëse është e nevojshme projektin do ta dërgojmë në vendet afër Kosovës. Lutjet tona janë që Qeveria e Kosovës ta aprovojë këtë projekt. E dimë se për momentin që kryeministri dhe Qeveria janë të zënë, por që të mos na anashkalojnë”, është shprehur Liveretti.

Kurse Jon Dërguti, përfaqësues i kësaj kompanie, është shprehur se Qeveria e Kosovës tashmë ka bërë një studim fizibiliteti përmes një kompanie sllovene, por që kompania amerikane dëshiron të investojë 165 milionë euro për aparaturën e nxjerrjes së xeheve. Por pavarësisht kësaj, ai thotë se projekti i “AMERICAN EXPLORING AND MINING”, në vlerë prej 800 milionë eurosh, edhe mund të rrezikojë dhe t’i humbë këto mjete.

Dërguti ka treguar se ka qenë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ajo e cila nuk ka pranuar të takohet me ta.

“Më 19 gusht e kemi pasur një takim me Artane Rizvanollin, takim shumë me rëndësi dhe ky takim nuk ka ndodhur dhe është bërë nga Ambasada e Amerikës. Herën e parë nuk ka pritur, herën e dytë asistentja e saj ka dalë e na ka thënë që keni vetëm 15 minuta për këtë takim”, është shprehur Dërguti. /Zeri.info

Për më shumë, ju ftojmë ta ndiqni intervistën e plotë në videon e mëposhtme: