Mehaj takohet me ambasadorin Sakar: Turqia si një aleat i fuqishëm i Kosovës premtoi ta mbështesë Kosovën

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme ka takuar ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.

Mehaj tha se me ambasadorin Sakar kanë biseduar lidhur me situatën aktuale të sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë, krahas njoftimit me proceset zhvillimore aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK, raporton Zeri.info.

Postimi i plotë:

Në vazhdën e takimeve me përfaqësuesit e korit diplomatik në Kosovë, sot prita në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.

Me këtë rast, me Ambasadorin Sakar biseduam lidhur me situatën aktuale të sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë, krahas njoftimit me proceset zhvillimore aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK, të arriturat e deritashme si dhe synimet për të ardhmen.

Atë, gjithashtu e falënderova dhe i shpreha mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për Republikën e Turqisë, për ndihmën dhe mbështetjen e ofruar në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale ushtarake të FSK-së.

Nga ana e tij, Ambasadori Sakar premtoi se Turqia, si një vend mik dhe aleat i fuqishëm i Kosovës, sikur deri më tani, do të vazhdojë të na mbështesë në të gjitha fushat dhe komponentët në mënyrë që t’i përmbushim me sukses të plotë synimet tona.

Në fund, u dakorduam që bashkëpunimi në nivel të ministrive të mbrojtjes dhe forcave të dy vendeve të fuqizohet edhe më tej në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal e më gjerë.