Hoti bashkë me zyrtarë evropianë, vizitë në kampin “Aushvic”

Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, me ftesën e Asociacionit Evropian të Hebrenjve, ishte pjesë e delegacionit për vizitë në kampin e përqendrimit në “Aushvic” -Bernkau, Poloni.

Në një postim të tij në Facebook, Hoti tha se pjesë e delegacionit ishin edhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, komisionari për Zgjerimin e BE-së, Oliver Varhelyi, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryetarja e Kuvendit të Çekisë, sekretarja e Senatit të Francës, deputetë dhe zyrtarë të shteteve evropiane.

“Ky kamp është një nga dëshmitë që tregon krimet mizore mbi popullin hebre. Vetëm në këtë kamp janë vrarë rreth 1.1 milion njerëz të pafajshëm, shumica absolute hebrenj, si dhe polakë, romë e të tjerë”, shkroi Hoti.

Ai deklaroi se qëllimi i kësaj vizite është që të përkujtohen viktimat dhe të mos lejohet të ndodhin kurrë krime mbi njerëzimin.