Sigurohen pamje brenda takimit të Kurtit me liderët e opozitës, i pranishëm edhe Sveçla [foto]

Kryeministri Albin Kurti ditën e sotme e ka nisur duke u takuar me liderët e tri partive opozitare.

Nga pamjet që ka siguruar “Zëri”, shihet në takim edhe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla.

Me të nisur takimi, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj e ka lëshuar atë, pasi, siç ka thënë, “Kurti nuk ka treguar pse i ka prishur marrëdhëniet me Amerikën”.

“Edhe pse isha pjesë e takimit me kryeministrin Kurti, u detyrova ta lëshoj takimin, sepse Kurti mbante ligjërata e nuk na sqaronte se përse ka prishur raportet me Amerikën dhe përse nuk po kthehej që të realizojë kërkesën e tyre”, shkroi Haradinaj në një status në Facebook.

Ndërsa pas takimit ka folur edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi. Ai është shprehur se nuk është i sigurt nëse Kurti dhe Qeveria po e dinë se në çfarë rruge po shkojnë për të ruajtur integritetin e Kosovës.

Po ashtu edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar koordinim urgjent me SHBA-në, ndërsa tha se Kurti s’ka plan për veriun. /Zëri