Analistët: Asociacioni s’duhet të themelohet nën trysninë e Listës Serbe

Qeveria e Kosovës assesi nuk do të duhet të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe nën trysninë e presionit nga Lista Serbe. Kështu vlerësojnë për Radio Kosovën analistët politikë, sipas të cilëve zgjidhja e vetme për të dalë nga kjo situatë është procedimi i fillimit të krijimit të statutit për themelimin e Asociacionit.

Qeveria e Kosovës do të duhet të tregojë vullnet politik për të hartuar statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, konform vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe atë ta prezantojë para faktorit ndërkombëtar. Duke folur për Radio Kosovën Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, thotë se ky është një hap për t’i dhënë zgjidhje problemit, por assesi nën kërcënimet e Listës Serbe.

“Ky është hapi i parë që qeveria mund ta bëjë si vullnet të mirë politik për t’i dhënë zgjidhje problemit, nuk duhet assesi të bindet prej kërcënimeve që të fillojë krijimin e Asociacionit, sepse kjo mund të jetë e rrezikshme në të ardhmen, sepse në të ardhmen për të arritur diçka ata, gjithmonë mund të na kërcënojnë në mënyrën e njëjtë, me tërheqjen nga institucionet, dhe kjo është absurde. Veprimet që ka bërë Lista Serbe nën dirigjimin e Serbisë janë absurde dhe kjo tregon se komplet çdo individ serb që ka punuar në institucionet e Kosovës e sidomos në pjesën veriore të vendit, kanë qenë dhe janë të dirigjuar nga Serbia”, tha Demhasaj.

Ndërsa analisti politik Ehat Miftaraj, nga Instituti për Drejtësi, thotë për Radio Kosovën se SHBA-ja dhe BE-ja nuk do të duhej të bënin presion mbi Qeverinë e Kosovës për themelim të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Në asnjë rrethanë nuk munden që përmes shantazheve siç është rasti i Listës Serbe që t’i arrijnë qëllimet e tyre përmes minimit, cenimit apo shkatërrimit të asaj që është arritur deri më tani përmes Marrëveshjes së Brukselit, ku më e rëndësishmja është kalimi i strukturave paralele në struktura të institucioneve të Kosovës në gjyqësi, prokurori dhe polici. Andaj një qasje e tillë, nuk është e bazuar as në mirëbesim dhe as nuk i kontribuon dialogut në të ardhmen”, tha Miftaraj.

Ndryshe, SHBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të fillojë menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe po ashtu u kanë bërë thirrje përfaqësuesve të Serbisë dhe serbëve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre të dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale.