Kurti: Situata në veri e dirigjuar nga Vuçiqi, Kosova s’do të shantazhohet nga organizimet e tilla kriminale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar rreth situatës së krijuar në vend pas dorëheqjeve të serbëve nga institucionet e Kosovës.

Kreu i ekzekutivit, në një konferencë për media, ka thënë se e gjithë kjo situatë është e dirigjuar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe se sipas tij, serbët e Kosovës nuk janë të sigurt nga vetë Serbia, raporton “Zeri.info”.

“Dëshiroj t’ju njoftoj se institucionet po vazhdojnë me realizimin e lehtësuar për procesin e regjistrimin e targave ilegale në ato RKS të shtetit tonë të pavarur, përfshirë edhe zbatimin e sekuencuar të Qeverisë të datës 28 tetor 2021. Nga data 1 nëntor e vitit 2022 deri më tani janë shënuar 856 qortime ose vërejtje. Karshi thirrjeve dashamirëse të institucioneve të Republikës së Kosovës drejtuar komunitetit serb për konvertimin e targave ilegale në ato RKS, ditëve të fundit janë intensifikuar kërcënimet dhe përpjekjet e Serbisë dhe të presidentit të fqinjit tonë verior për destabilizimin e situatës në vendin tonë dhe këto kërcënime janë praktikisht të orientuara para së gjithave ndaj qytetarëve tanë nëpërmjet ngjalljes së frikës dhe panikut. Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Qeverisë së Serbisë të shtunën, presidenti atje pati takime të ndara me ambasadorin e Rusisë dhe të Kinës në Beograd. Kjo tregon qartë se presidenti i Serbisë takohet e koordinohet me Rusinë e Kinën, ndërsa gënjen e zhgënjen SHBA-në dhe BE-në, prandaj çfarë po ndodh tani shpjegohet më së shumti me përpjekjen e Beogradit për ta ambalazhuar kundërshtimin e nismës franko-gjermane ose të propozimit të këtyre dy fuqive evropiane. Nuk bëhet fjalë as për targa të automjeteve, as për tabelat serbe, as për suspendimin e Nenad Gjuriqit, bëhet fjalë vetëm për refuzimin që ata ia kanë bërë propozimit të Parisit dhe Berlinit. Dhe tash duhet t’ia kamuflojnë këtë refuzim që ia kanë bërë Evropës, që ia kanë bërë BE-së, këtë koordinim të ngushtë që e kanë me Kremlinin dhe presidentin despotik, Putinin dhe për këtë po i përdorin ata të cilët ende vazhdojnë t’i dëgjojnë në Republikën e Kosovës, pra pjesëtarë të ndryshëm të strukturave ilegale. Serbia qartazi është e interesuar për ta sabotuar dialogun dhe çfarëdo marrëveshjeje dhe rruga që e ka zgjedhur është në bashkëpunim me grupet kriminale në veri të vendit për kërcënimin e qytetarëve dhe të sigurisë në vendin tonë. Kjo rrugë nuk është e paqes e bashkëpunimit e as e ndërtimit të marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore për çfarë ne angazhohemi. Përpjekjet e tilla janë të pasuksesshme, sepse shteti ynë është i fortë, demokratik, i cili ka rritje ekonomike e shoqërore në çdo fushë e aspekt duke qenë i rreshtuar me BE-në, SHBA-në dhe NATO-n.

Në kuadër të këtij qëllimi të Serbisë dhe përfaqësuesve politikë të saj, së fundmi kanë shtuar edhe aktivitet kundër Kosovës përfshin këtu propagandën.... pasqyrimin mediatik të incidenteve të ndryshime si incidente ndëretnike, duke i keqpërdorur e shtrembërojnë të dhëna të evidentuara në Policinë e Kosovës, duke u dhënë atyre ngjyrimeve ndëretnike.

Bazuar në të dhënat e sigurisë sonë, Serbia ka vazhduar presionin që serbët në Kosovë të paraqiten si të kërcënuar dhe të rrezikuar dhe kjo me qëllim që të propagandohet se komuniteti serb është i kërcënuar dhe se ata nuk na paskan siguri. Serbët në Kosovë janë të rrezikuar nga Beogradi, i cili ua djeg veturat, shtëpitë. Pra asnjë serb nuk dyshon që djegia e veturave ka ndodhur nga shqiptarët. Të gjithë serbët e dinë se të gjitha këto automjete janë djegur nga struktura që financohen e dirigjohen nga Beogradi... incidentet në veri të vendit janë të dirigjuara nga Beogradi, me qëllim që luftimin e krimit dhe korrupsionit të institucioneve tona që ne e bëjmë pa dallim, ta inskenojnë si incidente ndëretnike”, deklaroi Kurti, raporton më tutje “Zeri.info”.

Kurti u ka bërë thirrje serbëve që t’iu kthehen institucioneve të Kosovës, pasi, siç theksoi ai, kjo është një situatë dhe politike e krijuar nga Serbia.

Sipas Kurtit, institucionet e Kosovës nuk do të shantazhohen nga asnjë organizim i tillë, siç e quajti ai, kriminal.

“Bojkotet nuk janë zgjidhje. Institucionet nuk kanë alternativë, andaj u bëj thirrje të gjithë qytetarëve serbë, as mos i bojkotoni e as mos i braktisni institucionet e Kosovës, sepse ato janë për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe ata serbë. Andaj mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike. Serbia në vazhdimësi po tregon se nuk është e interesuar për integrimin e serbëve në Kosovë dhe tenton ta minojë Kosovën tonë demokratike. Republika e Kosovës do të angazhohet për drejtësi, ligj, kushtetutshmëri, për paqe e siguri dhe nuk do të shantazhohet nga organizimet kriminal, e nga kushdo qofshin dhe nga kushdo qofshin të organizuara ato”, theksoi Kurti. /Zeri.info