Krasniqi: Deputetët e Listës Serbe të zëvendësohen me kandidatët e partive të tjera serbe

Njohësi i punës së Kuvendit, Albert Krasniqi, ka thënë se deputetët e Listës Serbe duhet të zëvendësohen edhe me kandidatët e partive të tjera politike serbe që kanë garuar në zgjedhje.

Kjo pasi, sipas tij, Kushtetuta e Kosovës nuk parasheh situatë kur deputetët e komunitetit serb nuk i pranojnë mandatet.

“Pas dorëheqjeve të deputetëve të Listës Serbe dhe me shumë gjasë edhe refuzimit të kandidatëve të tjerë brenda kësaj liste për të marrë mandatet e deputetëve, zëvendësimet duhet të bëhen me kandidatë të partive të tjera politike që kanë deklaruar se përfaqësojnë interesat e komuniteti serb dhe kanë garuar për ulëset e garantuara për këtë komunitet. Kushtetua e Kosovës nuk parasheh situata se si të veprohet në rast se asnjëri prej kandidatëve të komunitetit serb nuk i pranojnë mandatet për të cilat kanë garuar në zgjedhje”, ka thënë Krasniqi për Gazetën Nacionale.

Ai më tutje ka deklaruar se Kuvendi mund të funksionojë edhe pa deputetët serbë, por jo edhe për ligjet ku kërkohen 2/3 e votave të komuniteteve.

“Ato ulëse do të mbesin të zbrazëta, pasi nuk mund të plotësohen me deputetë të komuniteteve tjera dhe as nuk mund të shpallen zgjedhje të pjesshme për zëvendësim të deputetëve. Në rast si ky, Kuvendit të Kosovës do t’i pamundësohet ushtrimi të të gjitha kompetencave, pasi nuk do të mund të bëjë amendamentim të Kushtetutës. Kurse ligjet me interes vital mund të miratohen apo ndryshohen, pasi kërkohen vetëm edhe votat e shumicës së deputetëve që janë të pranishëm dhe që votojnë, të cilët mbajnë vende të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë”, theksoi Krasniqi.