300 euro gjobë gjakovarit që la drutë në trotuar

Policia në Gjakovë ka shqiptuar gjobë 300 euro për një qytetar, i cili kishte lënë drutë në trotuar, duke penguar kështu lëvizjen e lirë të këmbësorëve.

Përmes një njoftimi, thuhet se Stacioni Policor në Gjakovë, ekipet patrulluese në kuadër të këtij stacioni, në vazhdën e realizimit të detyrave dhe përgjegjësive në interes të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike dhe në mënyrë që të krijojnë siguri në rrugë, kanë ndërmarrë veprime ligjore në përputhje me ligjin për rregullat e trafikut rrugor, ndaj qytetarit i cili kishte bllokuar trotuarin dhe vendkalimin për këmbësorë.

“Drejtoria Rajonale e Policisë Gjakovë apelon te të gjithë qytetarët që të jenë kontribuues në respektimin e rendit dhe qetësisë publike, si dhe rritjes së sigurisë në rrugë. Po ashtu Drejtoria Rajonale e Policisë Gjakovë fton qytetarët të bashkëpunojnë me Policinë. Kur kanë informacion për shkelje ligjore, të njoftojnë menjëherë Policinë, stacionin më të afërt, ose përmes aplikacionit digjital ‘Lajmëro Policinë’ dhe në numrat kujdestarë: 192 (pa pagesë) dhe 0390310482. Të dhënat do të ruhen në konfidencialitet të plotë”, thuhet në njoftim. /Zëri