Cakolli tregon si duhet të zëvendësohen deputetët e Listës Serbe, që dhanë dorëheqje

Sot 10 deputetë të Listës Serbe edhe zyrtarisht kanë dhënë dorëheqje nga Kuvendi i Kosovës.

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se 10 deputetët e dorëhequr duhet të zëvendësohen me kandidatët e tjerë nga Lista Serbe, e që janë nëntë në listë, ndërsa një tjetër duhet të zëvendësohet me një kandidat nga partia GI SPO, transmeton Zeri.info

“Pas dorëheqjeve edhe të deputetëve të Listës Serbe, duhet të iniciohen procedurat për zëvendësimin e tyre. Ata duhet të zëvendësohen nga kandidatët e tjerë për deputetë nga radhët e këtij subjekti politik, e që janë vetëm nëntë të mbetur. Një deputet tjetër do të zëvendësohet nga radhët e partisë tjetër serbe - GI SPO, që ka numrin më të madh të votave, pas Listës Serbe”, shkroi Cakolli.

Ai thotë se deputetët e rinj duhet të japin betimin brenda tri seancave të rregullta.

“Mosdhënia e betimit përbën arsye për humbjen e mandatit”, shtoi ai. /Zëri