Deliu-Kodra thotë se PDK-ja kthehet në pushtet në zgjedhjet e radhës

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, është shprehur e bindur që në zgjedhjet e radhës ky subjekt politik do të jetë në pushtet.

Deliu-Kodra ka thënë se është zhgënjimi që kanë pësuar qytetarët nga Lëvizja Vetëvendosje, por edhe angazhimi që është duke e bërë PDK-ja, do ta sjellë në pushtet këtë parti.

Sipas saj, qytetarët kanë pritur ndryshime me ardhjen e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, por ata kanë marrë vetëm zhgënjim dhe për dy vjet sa është në pushtet ky subjekt politik, në Kosovë nuk ka ndodhur asnjë ndryshim.

“Në zgjedhjet e radhës. Sapo t’i kemi zgjedhjet. Vitin e ardhshëm. Ka një angazhim të jashtëzakonshëm që janë duke e bërë të gjithë. Edhe po, ka një dëshpërim të qytetarëve të Kosovës, sepse po bëhen dy vjet që në Kosovë nuk ka ndërruar asnjë gjë. Njerëzit kanë pritur ndryshim e dëshpërimi është në rritje, prandaj njerëzit kanë me kërkuar alternativa, kanë me kërkua qeverisje e cila premton edhe e mban premtimin e saj. Dhe unë besoj fuqishëm se do të ketë një angazhim edhe më serioz këtyre muajve edhe natyrisht unë jam e bindur që do të kthehemi në pushtet”, ka thënë Deliu-Kodra në një intervistë për Klan Kosovën.