Kurti: Gjendja e komuniteteve nuk është e mirë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë sot se gjendja e komuniteteve në Kosovë nuk është e mirë, duke përmendur diskriminimin dhe vështirësitë ekonomike me të cilat përballen.

Kurti është zotuar se si kryeministër do të angazhohet për të ofruar mundësi të barabarta për të gjithë, transmeton Zeri.info.

“Ka ende shumë sfida dhe se gjendja e komuniteteve nuk është i mirë, si nga gjendja e diskriminimit dhe ekonomisë. Si kryeministër pa dallime angazhohem për të gjithë njëlloj, por më së shumti për ata që kanë nevojë. Institucionet tona mbetën të angazhuara për të ofruar mundësi të barabarta. Po punojmë bashkë për të përmbushur programin e Qeverisë, ku në këtë kemi ndarë bursa për 100 nxënës në Fakultet të Edukimit, që të kemi mësues dhe mësuese që më pas t’i mësojnë të tjerët”, ka deklaruar Kurti në hapjen e Samitit të parë Rajonal për Mbrojtje nga Diskriminimi Racor.

Ai përmendi se janë ndarë 500 bursa për studentët e komuniteteve.

“Kemi ndarë edhe 500 bursa për studentet e tjerë. Punësimin e tyre në institucionet publike. Edukimi dhe punësimi janë të lidhura ngushtë me njëri-tjetrin. Ne jemi solidarë më atë që përpiqet për të drejtat. Fakti që njerëzit janë të ndryshëm nuk do të thotë që nuk jemi të barabartë. Ju garantoj se Qeveria jonë do të qëndrojë krahë për krahë komuniteteve”, tha Kurti. /Zëri