Abdixhiku në takim me bashkatdhetarë: Rrugëtimi euroatlantik i Kosovës nuk bëhet pa miq e aleatë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët, u takua me bashkatdhetarë dhe struktura të degës së LDK-së në Gjermani.

Abdixhiku në fjalën e tij vlerësoi lartë rolin dhe kontributin e mërgatës në vazhdimësi që nga ditët e para e deri më sot. Ai potencoi kontributin për shkollat shqipe, mësuesit, mjekët dhe gjithë aparatin shtetëror të Republikës së Kosovës, por edhe në orët kritike Abdixhiku tha se mërgata i dha Kosovës burrat, gratë, djemtë e vajzat deri në flijimin e tyre në altarin e lirisë.

“Ju, të dashur bashkatdhetarë, ishit burim i pashtershëm organizativ, financiar e logjistik. Angazhimi i juaj, gjatë viteve të 90-ta, është shembull mobilizimi e ideali. Për këtë angazhim, Kosova, atdheu i juaj, gjeneratat e sotme e të ardhme që do të vijnë; do të jenë mirënjohës përherë. Asnjë mërgatë, e asnjë vendi tjetër – në gjithë historinë moderne të kontinentit tonë, nuk mund të arrijë standardin e vënë nga ju. Kontributi i mërgatës sonë nuk u ndal tek liria. Kjo mërgatë e jona, ndihmoj fillimisht me rindërtimin e Kosovës, e më pas dhe me mbijetesën e vështirë të popullit të Kosovës. Por mbi të gjitha, më e rëndësishmja, ishte mbështetja juaj për angazhimin e Presidentit Rugova. Kjo mbështetje, e shoqëruar nga një mbështetje popullore e padiskutueshme për rrugëtimin e tij e tonin, kulmoj më 17 shkurt të vitit 2008 me pavarësinë e Republikës së Kosovës; aktit më të lartë historik të shqiptarëve të Kosovës”, tha kryetari Abdixhiku.

Pasi që vlerësoi lart rolin e mërgatës për Kosovën në vazhdimësi, Abdixhiku tha se është shumë i lumtur që në këtë takim sheh njerëz që kanë nisur kontributin për LDK-në dhe Kosovën që nga ditët e para, si dhe njerëz që duan ta nisin kontributin nga e para.

“Me Lidhjen Demokratike të Kosovës, u lindën dhe aspiratat e artikuluara politike për liri, për pavarësi, për demokraci. Postulati themeltar e identitar, është ndërtuar nga një burrë i madh shqiptar, një patriot i papërsëritshëm historik, nga ati themeltar i Republikës së Kosovës e bartësi i lëvizjes më të madhe nacionale për liri, pavarësi e demokraci, nga Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova”, tha Abdixhiku.

Në fjalën e tij para një numri të madh të bashkatdhetarëve, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se kushtrimi i rugovistëve do të bëj jehonë.

“Kur kushtrimi të bjerë në mërgatë e Kosovë, një gjë e dimë të gjithë, se kjo shtëpi politike bëhet e pandalshme, e pathyeshme, e paarritshme, ndaj sot ndjehemi të tillë”, tha Abdixhiku para të pranishmëve.

Abdixhiku më tej paraqiti pikëpamjet për mërgatën, orientimet e brendshme të LDK-së dhe vizionin Kosovën e së ardhmes.

“E shkuara e jonë e përbashkët është e lavdishme. E ardhmja me ne është e domosdoshme. LDK duhet të jetë vendimtare dhe prijetare e proceseve integruese në dekadën e saj të katërt të veprimit politik. Kosova shtet i pavarur e sovran, i integruar në NATO e BE, dhe me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është udhërrëfimi jonë”, nënvizoi Abdixhiku.

Abdixhiku, theksoi se LDK është kthyer tek anëtarësia e qytetarët si dhe ka hapur dyert për të rinj e të reja, për të ndërtuar gjeneratën e ardhme politike në vend.

Në fund të fjalës së tij, Abdixhiku i ftoj bashkatdhetarët dhe strukturat e LDK-së që të bëhen bashkë, siç tha ai, për ta përmbushur misionin historik; integrimin e Kosovës në NATO e BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të.

“Kam ardhur këtu të shtroj ftesën për një besëlidhje. Që të bëhemi të gjithë bashkë, t’i kthehemi qëllimit tonë fillestar të organizimit politik – atë që na mësoj prijësi ynë historik Rugova – e të ringritemi të gjithë për një qëllim të vetëm: t’i japim atdheut tonë të ardhme, ta dërgojmë Kosovën në familjen Evropiane. Ky është misioni ynë historik. Ne duhet të përfundojmë misionin e nisur 33 vite më parë, të një shteti të pavarur e sovran, të anëtarësuar në NATO e BE dhe me miqësi të përhershme me SHBA-të. Dhe në këtë mision historik, mërgata jonë, bashkatdhetarët tanë, Dega jonë në Gjermani, të djathtit, rugovistët, patriotët e të gjitha anëve, kanë rol thelbësor.”