Batatina tregon arsyen për humbjen befasuese nga Ferizaj

Llapi ka pësuar humbje befasuese në kuadër të javës së 15-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Të besuarit e trajnerit Tahir Batatina janë mposhtur 1:2 në shtëpi nga Ferizaj, skuadër kjo e fundit në renditjen tabelore.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka thënë se skuadra e tij nuk është dashur të humb të dielën nga Ferizaj.

”Mendoj që djemtë janë kënaqur me ndeshjen e kaluar dhe kanë menduar që Ferizajn do ta mundin lehtë dhe kjo është arsyeja për humbjen e ndeshjes. E kemi pranuar një gol që nuk është dashur ta pësojmë. Kur është dashur ta barazojmë rezultatin bëmë gabim sërish në defanzivë dhe pranuam golin e dytë”, ka thënë Batatina.

“Kur skuadra më pas mbrohet me 10 lojtarë në zonë është e vështirë të shënohet. Disa lojtarë ndoshta nuk e kanë dhënë maksimumin dhe nuk i kryen detyrat. Shënuam një gol që nuk ishte e mjaftuar. Kjo ndeshje na ka vënë në vështirësi dhe tani duhet të reagojmë në ndeshjen e ardhshme”, shtoi ai.

“Sot nuk është dashur të humbet takimi. Nuk i shfrytëzuam rastet tona. Këto ngritje-ulje të skuadrës nuk janë të mira, por duhet ta gjejmë ku është defekti. Ka ende ndeshje, por kjo ishte ndeshja më e dhimbshme për Llapin”, ka theksuar tekniku llapjan.