Fëmijë, të moshuar e gra, protesta në veri përmes fotografive

Nga ora 12:00 në sheshin “Car Lazar” në Mitrovicën veriore filluan të mblidheshin qytetarë serbë për të kundërshtuar vendimet e Qeverisë për targat, por edhe për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq.

Në këtë pjesë të Kosovës fillimisht u panë shumë flamujë të Serbisë, teksa në sfond dëgjoheshin këngë nacionaliste serbe, raporton Zeri.info.

Pasi u tubuan në pankartat e serbëve shkruhej “Të gjithë ne jemi Nenad Gjuriq”, “Sot, Nenad Gjuriqi, nesër çdo serb në Kosovë”, por serbët këndonin edhe këngë nacionaliste si “Nga Prizreni në Rumijë, të gjithë e dinë se është Serbi”.

Në këtë protestë janë parë edhe disa të moshuar, njëri prej tyre që mbante helmetën e UNMIK-ut, por që mbante në duar edhe pankartën ku shkruhej se “UN-1244 Help”.

Por, në protestë janë parë edhe disa fëmijë që bartnin simbole serbe dhe flamujë serb, raporton Zeri.info.

Protesta përfundoi pas fjalimit të kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili bëri thirrje për paqe, por edhe për themelimin e Asociacionit të komunave serbe.

“Dje kemi dhënë dorëheqje, sot po ua kthejmë mandatin, pasi ju na keni zgjedhur, jo Prishtina”, u shpreh ai ndër të tjera.

Kujtojmë se kësaj proteste i parapriu dorëheqja e kryetarëve të katër komunave veriore. /Zëri